ZBULIME LIRIKE TË BOTËS SË BRENDSHME
Melik Arsllani, një piktor i cili vjen nga shkolla e Prishtinës, një shkollë që ka nxjerrë emra të mëdhenj të arteve pamore, deri tani publikut i është prezantuar me disa ekspozita personale dhe kolektive në vende të ndryshme evropiane dhe amerikane, kurse kritika e arteve pamore e ka vlerësuar piktorin si individualitet i veçantë krijues.Melik Arsllani duke e deformuar realen e shpreh më bindshëm botën e trazuar shpirtërore. Nëpërmjet pikturës shpreh thelbin e gjërave. Për të piktura mbetet një pushtim i ndriçimit, shprehje e ngjyrës, nuancës, mjegullës, hijeve etj.Melik Arsllani nuk “fotografon”, pra nuk pretendon që të fiksojë çaste. Ai pikturon, kurse pikturimi për të nuk është veçse përforcim i përjetimit dhe botëshikimit personal, teksa krijon botën e tij artistike…
Ekspozita më e re përfshin tre cikle: “Shqetësime shpirtërore”, “Enteriere” dhe “Eksteriere”. Pra, piktori fillimisht shpreh artistikisht përjetimet personale. Pastaj zgjeron interesimin dhe preokupimin e tij artistik për një bote tjetër që e rrethon dhe për një botë që bëhet më e largët dhe më e harruar. Pra, derisa në ciklin e parë shpalos botën e vet të trazuar shpirtërore, në ciklin “Enterier” paraqet figurativisht vatrën shqiptare, pra dhomën e ditës, ateljen…, kurse në ciklin “Eksterier” janë motivet nga jeta e fshatit që e frymëzojnë atë. Në ciklin “Shqetësime shpirtërore”, paraqet një botë pas një konflikti. Është një gjendje kaosi, që shoqërohet me rrënim dhe me qëndresë. Në dy ciklet tjera u kthehet vlerave të së kaluarës; një kthim prapa në kohë, për të gjetur prehje, qetësi, paqe, pra për të shijuar një botë plot kolorit. Kjo mund të jetë edhe një ikje nga kaosi urban, nga tronditja e vlerave në kohën kur edhe historia ka plasaritje. Kjo ikje, mbase, ndodh në kohën kur kemi një zhvendosje. Gjegjësisht, kur qendra bëhet gjithnjë më kaotike, kurse harmonia zhvendoset në periferi, në vendet më pak urbane, te gjërat që i kemi zhvendosur në periferinë e interesimeve tona, pra atje në botën e arkaikes, në botën e harruar dhe plot kolorit, ku njeriu ishte në paqe me vetveten.
Arsllani frymëzohet nga vendi i tij, shumë i bukur si natyrë, por shpesh i trazuar. Nëpërmjet ngjyrës, si material i përjetshëm i pikturës, bën një zbulim lirik të botës së brendshme. Ai ka krijuar piktura që shikohet nga afër dhe nga larg. Teksa i shikon nga afër sheh mjeshtërinë e piktorit. Me penelata tejet të sakta ka krijuar një tërësi kompozicionale, një botë të sajuar artistike shumë tërheqëse. Kur i sheh nga një distancë, pikturat e tij jo vetëm përjetohen, por edhe të nxitin meditimin. Pikturat e tij i kanë brenda vetes kodet identifikuese të një vendi shumë të bukur si natyrë, shumë të pasur artistikisht; një botë interesante dhe e paeksploruar, një botë e cila nuk e ka pasur rastin që të rrëfejë për bukuritë e veta. Ja tani, kjo botë flet nëpërmjet pikturave të Melik Arsllanit; kjo botë plot kolorit, e pasur me mite, me rite e rituale, me kolorit ndjenjash. Është bota nga e cila piktori ka vjelë frymëzimet e tij dhe e ka paraqitur artistikisht në mënyrën më të mirë të mundshme.
Salajdin Salihu